“Sulmet në Banjskë dhe ai në Ibër-Lepenc më të fuqishmet që nga paslufta”

Sulmi terrorist mbrëmjen e së premtes në Ibër-Lepenc dhe ai i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, po konsiderohen si aktet terroriste më të fuqishme që nga paslufta në Kosovë.
Kështu thotë hulumtuesi në Institutin për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Gurakuç Kuçi në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se sulmi në Ibër-Lepenc, është bërë nga profesionistë të kësaj fushe. Sipas tij, eksplozivi i përdorur është vështirë të gjendet në tregun e zi të përdoret nga njerëz jo profesionistë.
“Sulmi më i madh terrorist mund të konsiderojmë se ishte Banjska, por kjo është një nga sulmet terroriste më të mëdha terrorist që i ka ndodhur Kosovës për shkak se kishte një qëllim të qartë dhe qëllimi ishte që të shkaktojë dëme në furnizim me energji dhe ujë të pijshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës. Dy sulmet më të fuqishme që nga pas lufta ose që nga shpallja e pavarësisë është Banjska dhe kjo. Është në vazhdën e iniciativave të luftës hibride që janë duke i bërë Rusia dhe Serbia. Jemi dëshmitarë që para pak ditëve Rusia bëri një iniciativë të ngjashme kundër furnizimit me energji elektrike në Ukrainë dhe të njëjtën gjë e përsëriti Serbia kundër Kosovës…Ky ishte një plan i mirëmenduar nga pala serbe dhe vetë eksplozivi i cili është gjendur aty është një eksploziv që është shumë i vështirë të gjendet në duar të lira, në tregun e zi apo të përdoret nga njerëz të cilët janë gjysmë profesionistë apo jo profesionistë. Jemi dëshmitarë që kjo është ka njerëz profesionistë…Qëllimi është që të destabilizojë Kosovën dhe sidomos qytetarët serb mos t’i lejojë në asnjë masë të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës”, thotë Kuçi.
Komente